Një forum tre-ditor i Kombeve të Bashkuara “Kosova, ndërtimi i besimit” po mbahet në Lubljanë. Forumi u hap nga shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin dhe në të po marrin pjesë më shumë se 150 pjesëmarrës, përfshirë kryetarët e komunave, udhëheqësit e administrative komunale, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, shoqërisë civile dhe mediat.
Në hapjen e takimit Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin, tha se qëllimi kryesor është rritja e besimit në mesin e komuniteteve.
“Besimi, drejtësia, prosperiteti – këto janë qëllime, nuk janë abstrakte, mund të arrihen”, tha Tanin, duke shtuar se shpresonte që ky besim “nuk do të zgjasë me javë, por me vite”.
Temat kryesore të forumit “Kosova, ndërtimi i besimit” janë gjyqësori, zhvillimi ekonomik, mbrojtja e mjedisit, media, dialogu ndërfetar dhe vetëqeverisja lokale.