Megjithëse ishte paralajmëruar se viti i ri shkollor do të niste me 1 shtator, e madje kjo ishte dakorduar edhe javën e shkuar në takimin që ka realizuar Asociacioni i Komunave të Kosovës me përfaqësues të arsimit në nivel lokal dhe nacional, për shkak të situatës së rënduar nga pandemia e CoViD-19, sidomos nga varianti ‘Delta’, procesi mësimor është shtyrë. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi kishte deklaruar për Radio KFOR-in se gjithçka ishte gati për procesin mësimor sa i përket përgatitjeve: “Drejtorët e Arsimit të komunave të Kosovës treguan gatishmëri për të nisur fillimin e viti të ri shkollor, të gjitha përgatitjet janë bërë, është bërë edhe dezinfektimi i të gjitha shkollave si dhe të gjitha rekomandimet dhe direktivat nga IKSHP dhe institucionet relevante do të merren parasysh. Në bazë të diskutimit, informatave që kanë ndarë drejtorët e shkollave sa i përket vaksinimit e kuptuam që janë mbi 70% e personelit administrativ dhe arsimor në nivel të Kosovës të vaksinuar me dozën e parë dhe një pjesë edhe me dozën e dytë.” Mirëpo, pavarësisht kësaj, situata epidemiologjike në vend, nga dita në ditë është shfaqur më e rënduar, prandaj Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke parë situatën me CoViD-19 dhe duke respektuar direktivat e Qeverisë së Kosovës për masat e reja kufizuese, ka vendosur që të shtyjë procesin mësimor deri më 13 shtator. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Sazan Ibrahimi thotë që do të realizojnë takime në nivel lokal e nacional për të parë se si do të rrjedhë situata epidemiologjike e cila do të determinojë edhe fillimin e vitit të ri shkollor: “Nuk do të thotë që është vendim definitiv sepse jemi dakorduar qe të takohemi sërish si Asociacion i Komunave të Kosovës së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia por gjithashtu drejtorët komunal do të realizojnë takim me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknlogjisë, Arbërie Nagavci me qëllim që të shikohet situata se çka do të ndodhë pas dy javësh, sa janë plotësuar kushtet sa i përket situtatës epidemiologjike në mënyrë që të kemi fillim të procesit mësimor të rregullt, gjithmonë duke uruar në rënie të rasteve të infektimeve dhe vdekjeve nga virusi CoViD-19”. Java e fundit e muaji gusht ka shënuar rritje rekorde të infektimeve dhe rasteve të vdekjeve si pasojë e CoViD-19.