Këtë të shtunë, më 2 shkurt duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ‘Filharmonia e Kosovës’ do të mbajë koncertin e parë në serinë e koncerteve në shënim të 20-vjetorit të themelimit të saj.
Drejtori i ‘Filharmonisë së Kosovë’, Baki Jashari, në një prononcim për Radio KFOR-in ka thënë se ky koncert është i veçantë për shumë arsye: “Fillimisht kemi mysafir një prej personaliteteve më të shquara aktulisht në botën e muzikës klasike. Bëhet fjalë për violinistin dhe dirigjentin, Maxim Vengerov, i cili ka pranuan ftesën e ‘Filharmonisë së Kosovës’, pikërisht në saje të jubileut tonë me një ekip solistësh të mrekullueshëm të cilët do të performojnë veprat e kompozitorit gjenial, Ludwig van Beethoven, më konktretisht “Simfoninë e 7-të” të tij dhe “Koncertin për violinë, violonçel dhe piano”, apo triple-concert siç edhe quhet. Ky njëherit ështe edhe një program i veçantë në rastine shënimit të 250 vjetorit të lindjes së kompozitorit Beethoven. ”
Jashari ka treguar gjithashtu se interesimi për këtë koncert ka tejkaluar çdo pritshmëri: “Ky koncert ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek publiku dhe ne me këtë rast kërkojmë falje publike për të gjithë ata dashamirë të muzikës klasike që nuk kanë mundur të pajisen me bileta pasi që dje, kur ne e kemi hapur shpërndarjen e biletave, për 3 deri në 4 orë janë shitur mbi 300 bileta, që ka qenë për ne shumë e papritshme.”
Në program do interpretojnë solistët e dalluar: Özcan Ulucan në violinë, László Fenyő në violonçel dhe Birsen Ulucan në piano.