Pandemia globale SARS-CoV-2, veç tjerash ka zbehur edhe aktivitetet kulturore, duke ndikuar në anulimin apo shtyrjen e shumë ngjarjeve kulturore, disa prej të cilave janë realizuar duke respektuar masat rekomanduese nga organet përkatëse shëndetësore e disa të tjera kanë kaluar online.
Pas 9 muajsh, Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin premierë të Korit të Filharmonisë, me dirigjent Hajrullah Sylën. Se cila do të jetë përmbajtja konkrete e këtij koncerti, për Radio KFOR-in foli menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj: “Në program do të dëgjohen interpretime premierë të veprave të kompozitorëve shqiptar dhe botërorë. Me këtë koncert Kori i Filharmonisë së Kosovës do të paraqitet në Prishtinë, pas një mungese të gjatë, që nga 10 marsi kur kishte organizuar koncertin e fundit para karantinimit. Pas lirimit të masave nga tetori, Kori i Filharmonisë ka qenë në një turne koncertesh në Prizren, Pejë, Gjilan dhe Shkup – organizime me numër të kufizuar të pjesëmarrësve.”
Filharmonia e Kosovës edhe këtë vit do të organizoj koncertin e fund vitit, i cili do të mbahet më 19 dhjetor dhe meqenëse salla e kuqe nuk ofron mundësitë e mjaftueshme për të ruajtur distancën për realizimin e programit të paraparë, koncerti do të mbahet në sallën e koncerteve të Filharmonisë së Maqedonisë dhe do të transmetohet për Vitin e Ri në një televizion dhe në rrjetet sociale të Filharmonisë së Kosovës.