Filharmonia e Kosovës sot (26 shtator) organizon konferencë për media, në lidhje me koncertin e hapjes së sezonit 2019/2020.
Të pranishëm në konferencën e cila fillon në ora 13:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, do të jenë pianistja, Lule Elezi (soliste e koncertit të hapjes së sezonit), dirigjenti, Boian Videnoff (Drejtor artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit) dhe drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
Programi i hapjes së sezonit 2019 / 2020 i Filharmonisë së Kosovës sjell përpara publikut një mbrëmje koncertale me vepra romantike. Solistja e mbrëmjes, pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të luajë koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi, Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.
Pjesa e dytë e koncertit është rezervuar për Simfoninë e 9-të në e-mol të kompozitorit çek, Antonín Dvořák, ndryshe e njohur si Simfonia “Nga bota e re”. Kjo e fundit qe kompozuar në vitin 1893, derisa Dvořák ishte drejtor i Konservatorit Kombëtar Amerikan të Muzikës, në Nju Jork dhe është një nga simfonitë më të popullarizuara të të gjitha kohëve.
Astronauti Neil Armstrong mori një incizim të kësaj simfonie përgjatë misionit Apollo 11, ndryshe i njohur si zbarkimi i parë i njeriut në hënë në vitin 1969.