Festivali shumetnik “Mirëdita, dobar dan!”, qëllimi i të cilit është inicimi i ndryshimeve për të krijuar një traditë të bashkëpunimit dhe normalizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, do të mbahet së shpejti në Prishtinë, andaj edhe ka hapur thirrjen për vullnetarë. Ashtu sikurse viteve të shkuara edhe sivjet festivali në fjalë, do të bëjë bashkë komunitetin shqiptar dhe atë serb. Për të kuptuar më shumë për festivalin dhe thirrjen për vullnetarë, Radio KFOR-i ka intervistuar Koordinatoren e projektit në organizatën ‘Integra’, Iliria Kajdomqaj: “Edhe sivjet e kemi organizuar Festivalin ‘Mirëdita, Dobar dan’ edhe pse jemi në një kohë pandemike, po mundohemi që ta mbajmë aktive skenën kulturore dhe jo vetëm. Edicioni i sivjetmë i ‘Mirëdita, Dobar dan’, fillon në Kosovë si dhe do ta kemi edhe një pjesë tjetër të festivalit që do të mbahet në Serbi. Në Kosovë, festivali do të mbahet në datat 14, 15 dhe 16 tetor, prandaj edhe e kemi hapur thirrjen që të na bashkëngjiten vullnetarë, të cilët janë të interesuar që të jenë pjesë e festivalit. ‘Mirëdita, Dobar dan’ si festival është i etabluar qe një kohë të gjatë dhe e ka mbajt gjallë dhe aktive skenën kulturore dhe akademike në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh që festivali çdo herë i ka bërë bashkë artistët e këtyre dy vendeve për të pasur shkëmbime të ideve, diskutimeve dhe debateve nëpërmes komuniteteve artistike, akademike dhe shoqërive civile në mes të Kosovës dhe Serbisë.”
Duke ju referuar situatës pandemike dhe rrjedhës së saj në vazhdim, znj. Iliria Kajdomqaj na informoi që nuk i kanë ende datat e mbajtjes së festivalit në Serbi.
Thirrja për vullnetarë të festivalit do të jetë e hapur deri më datën 26 shtator dhe të gjithë të rinjtë që besojnë në vlera, si diversiteti, mosdiskriminimi, kanë aftësi për të punuar individualisht dhe në grupe, mund të bëhet pjesë e festivalit duke dërguar CV-në e tyre, në info@ngo-integra.org
Për më shumë, mund të vizitoni edhe faqen e Integra, në Facebook: https://www.facebook.com/Integra-471945296197369