Sonte (31.12.18) me fillim nga ora 19:30, në ambientet e Kino ABC në Prishtinë, fillon Festivali “Rolling Film”.
Në edicionin e 5-të, përgjatë tre ditëve sa do të zgjasë festivali, do të sjell para publikut 25 filma: dokumentarë, fiction dhe filma të metrazhit të shkurtë, që tregojnë histori unike të karaktereve.
Producentët në filmat e tyre flasin për romët, por historitë e individëve janë universale. Krijuesit e filmave ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe ekspertët do të jenë prezent për të diskutuar rolet e tyre në filma gjatë 3 ditëve të shfaqjeve të filmave.
Përveç programit të rregullt të filmit, do të prezantohet edhe një vizion i rinisë rome përmes fotografisë dhe pikturës.
Hapja e festivalit bëhet sonte me fillim nga ora 19:30 në Kino ABC. Menjëherë pas ceremonisë së hapjes, me fillim nga ora 20:00, do të shfaqet dokumentari ‘Taikon’, i cili flet për jetën e shkrimtares dhe aktivistes Katarina Taikon. Pas shfaqejs së dokumentarit, pason muzika live nga Driton Berisha. Ky festival organizohet nga ‘Roma Versitas Kosova’ dhe ‘Romawood’.