Me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe aktivizmit tek të rinia për rëndësinë e mjedisit, me fokus ndikimin që ka shoqëria në cilësinë e ajrit përgjatë vitit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest”, këtë vit do të organizoj edicionin e tretë të ‘Green Film Project’. Përmes filmave pjesëmarrës, të cilët do të garojnë në këtë projekt, pritet të trajtohet mbrojtja e mjedisit. Përmes një prononcimi ekskluziv për Radio KFOR-in, Drejtoresha e Festivalit, znj.Vjosa Berisha, fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat kreativ, që të shkrijnë idetë e tyre në filma të shkurtër dokumentar apo fiktiv:
“Vetëdijësimi i të rinjve lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe dhënja e informatave për këtë problematikë është shumë e rëndësishme, andaj për ne si festival, marrë parasysh se kemi mundësi dhe hapsirë që të informojmë publikun lidhur me këtë ҫështje, e bëjmë këtë gjë me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi. Mënyra se si e kemi realizuar në të kaluarën ka qenë shumë e përshtatshme sepse përmes garës janë stimuluar të rinj që të kyҫen dhe të realizojnë idetë e tyre, prandaj në këtë mënyrë do të vazhdojmë të punojmë edhe këtë vit”, nënvizoi mes tjerash, znj. Berisha.
Nga të gjitha aplikimet, 10 filma do të përzgjidhen nga selektorët e festivalit, për t`u shfaqur në “PriFest 11”, në njërën nga netët e tij, në datat 16-21 korrik. Ndërkohë, juria ndërkombëtare do të përzgjedhë edhe filmin më të mirë të ‘Green Film Project’, me ç’rast Autori i filmit më të mirë do të fitoj si shpërblim, një kamerë profesionale dhe Pllakatën e Hyjneshës së Gjelbër.