Një nga festivalet më të mëdha të muzikës metal rok ‘Metal United World Wide’, këtë vit do të mbajë edicionin e tretë të organizimit, duke mbledhur në Kosovë dhjetëra bende nga e gjithë bota dhe artistë të shumtë që pritet të performojnë për herë të parë në këtë festival.
Radio KFOR-i kontaktoi me pronarët e ‘Rockuzinës’, të cilët janë njëherazi edhe organizatorë të këtij festivali për tu njoftuar me ngjarjen më të madhe të rok muzikës në vendin tonë: “Ne kemi planifikuar të organizojmë festivalin ‘Metal United World Wide’, me 19 shtator të këtij viti, megjithatë ende nuk është e qartë nëse festivali do të mbahet, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Mirëpo, ne do të ndjekim rekomandimet e institucioneve relevante në vend dhe do të vendosim përfundimisht për mbajtjen e festivalit. Tashmë kemi të konfirmuara pjesëmarrjen e disa bendeve nga Gjermania, Franca dhe nga vende të tjera.”
Në edicionet e kaluara ky festival mblodhi në Kosovë mbi 400 bende, të zhanrit metal rok nga vende të ndryshme të botës, mirëpo me pjesëmarrje të bendeve edhe nga Kosova.