Festivali ndërkombëtar ‘Epizode’, do të mbledhë në plazhin Rana e Hedhun, në Shëngjin, DJ-të më të famshëm botëror të muzikës elektronike. Për 3 netë me radhë, nga data 23 deri me 26 shtator, të interesuarit do të kenë mundësi të argëtohen me artistët më të njohur botëror, me programin e pasur muzikorë 24 orësh, të këtij festivali.
Radio K4 ka kontaktuar zëdhënësin e këtij festivali, Ardin Badivuku, i cili na tregoi më shumë rreth këtij festivali: “Epizode, është një festival ndërkombëtar shumë i suksesshëm, i cili është mbajtur në Vietnam dhe këtë edicion organizatorët kanë dashur që ta mbajnë edhe në Evropë, ku si destinacion kanë zgjedhur Shqipërinë. Pas suksesit të festivalit ‘UNUM’, që e kemi pasur këtë vit, stafi organizues i ‘Epizode festival’, kanë qenë mysafirët tanë, të cilët e kanë shijuar në maksimum këtë ngjarje dhe kanë vërejtur një potencial që mund ta organizojnë festivalin ‘Epizode’, në Shëngjin, te Rana e Hedhun, në Shqipëri.”
Badivuku, gjithashtu tregoi se ky festival, në ditën e parë do të fillojë me performancat e DJ-ve lokal, për të vazhduar pastaj me DJ, të tjerë me famë ndërkombëtare.
Të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e festivalit ‘Epizode’, mund ti blejnë biletat, nëpërmes Rave Travel, ndërsa data e fundit për blerjen e biletave është 22 shtatori, ora 17:00.