Në kuadër të ‘16 ditëve të aktivizmit’, një fushatë globale që ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje ‘Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkime’ në Kosovë, është bërë po ashtu pjesë e kësaj fushatë duke organizuar edicionin e parë të ‘Festivalit të Baballarëve’, që do të mbahet nesër, me 27 nëntor, me aktivitete të shumta dhe që ka për qëllim luftimin e pa barazive gjinore dhe përfshirjen e burrave dhe djemve në përgjegjësitë rreth shtëpisë dhe kujdesit të fëmijëve. Për të mësuar rreth këtij festivali, radio KFOR-i kontaktoi me menaxheren e programeve në ‘Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime në Kosovë’ (SIT), Njomza Berisha, e cila tregoi më shumë rreth organizimit të edicionit të parë të festivalit të baballarëve në Kosovë: “Këtë vit kemi organizuar edicionin e parë të ‘Fathers Festival’, në kuadër të ‘16 ditëve të aktivizmit’, duke marrë parasysh që duhet të promovojmë më shumë angazhimin e burrave dhe djemve në barazi gjinore, sidomos kur flasim për ndarjen e përgjegjësive prindërore dhe kujdesin e fëmijëve. Në ‘Festivalin e baballarëve’, këtë vit do të marrin pjesë 10 familje, prindërit bashkë me fëmijë, ku do të kenë aktivitete të ndryshme si familje për të përçuar mesazh se djemtë dhe burrat duhet të përfshihen në barazi gjinore, në ndarjen e përgjegjësive por edhe fëmijët t’i mësojmë për rëndësinë e barazisë gjinore. Po ashtu, nëpërmes paraqitjes së hulumtimeve dhe përfshirjes mediatike, do të mundohemi të rrisim vetëdijen e qytetarëve për të eliminuar dhunën në familje dhe mendësinë patriarkale.”
Nga intervista me znj. Njomza, po ashtu mësuam se organizata SIT, gjatë pandemisë ka bërë një hulumtim mbi angazhimin e burrave në përgjegjësitë e tyre rreth shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve dhe sipas këtij hulumtimi situata nuk qëndron edhe aq mirë në këtë aspekt, megjithatë gjeneratat e reja kanë filluar të ndryshojnë qasjen e tyre në këtë aspekt.