Arti është universal, thjesht ekspozues dhe duke u pranuar nga kultura të ndryshme na tregon se sa e bukur është gjuha e artit. Këtë vit Qendra Kulturore Aquarius, na ka lejuar të shijojmë bukuritë e larmishme të festivalit multietnik ndërkombëtarë, të krijimtarisë së grave përmes festivalit ‘Women’s Creativity Festival’.
Ky festival multietnik do të mbahet nesër (05.03.20), në pjesë veriore të Mitrovicës, ndërsa pjesëmarrëse aty do të jetë edhe këngëtarja, Tringa Sadiku, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, na njoftoi më shumë në lidhje me bashkëpunimin në mes të komuniteteve në Mitrovicë: “Kemi pasur bashkëpunime, mirëpo jo për muzikën klasike, vetëm në muzikë rock. Ne kemi ‘Rock School’ e cila po mundohet me i bashku serbë e shqiptarë me anë të muzikës, por për muzikë klasike nuk kemi pasur ndonjëherë. Tani është hera e parë. Kur më është bërë ftesa nga ky Festival, jam ndijer shumë e gëzuar për shkak që po më bie të performojë në anën tjetër të lumit dhe më ka ardhë shumë mirë që po organizohet diçka e tillë, për të promovuar femrat në kulturë dhe poashtu është hera e parë që do të marrë pjesë në këtë festival.”
Pas performancës së Tringa Sadikut, të cilës do t’i bashkohen kolegë nga Universiteti i Prishtinës, Drenusha Cerkini dhe Rina Neziri, të pranishmit do të kenë rastin të shijojnë performancën ‘Akapella’, njoftoi poashtu për Radio KFOR-in, përfaqësuesja e Qendrës Kulturore Akvarijus, Miljana Dundjerin dhe shtoi: “Kemi një koncert, një performancë vokale të 4 vajzave që studiojnë në Fakultetin e Arteve në Mitrovicë të cilat do të realizojnë një shfaqje vokale, ky është një kuartet. Pas kësaj kemi një shfaqje shumë interesante që nënkupton se tre aktore, vajza që janë modele, do të pikturojnë tre piktorë”.
Festivali ‘Women’s Creativity Festival’ do të fillojë nesër prej orës 20:00, në Qendrën Kulturore Aquarius, në veri të Mitrovicës.