Interesimi i madh për filmat që në fokus kanë një personazh superhero, është diçka e vjetër, sa vetë historia e filmit dhe njëherit është çështja më thelbësore që ka orientuar tregun botëror të filmit.
‘Spiderman’, ‘Batman’, ‘Captain America’, ‘Aquaman’, ‘Iron Man’, ‘Thor’ e shumë të tjerë janë vetëm disa nga qindra filma me superheronj, që na kanë shoqëruar përgjatë viteve dhe që kanë zgjuar kureshtjen e audiencës, e poashtu kanë mbushur arkat filmike.
Edhe viti 2019-të ka nisur me fenomenin për të sjellur dhe për të ndjekur filma me superheronj, e megjithatë duket se ‘miti’ për superheronjtë ka filluar të zbehet. Lidhur me këtë çështje Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e Kino ‘ARMATA’, Alush Gashi i cili theksoi:
“Personalisht mendoj se jo vetëm këtu, por edhe ndërkombëtarisht më duket që është një mos interesim. Trajtimi i superheronjve, mënyra se si trajtohet një personazh i tillë ka filluar të ndryshojë. Kanë filluar të përsëriten temat, kemi 5 ose 6 vazhdime të një serie, të një superheroi edhe pse varësisht prej temës mundet edhe të trajtohet por më duket që po krijohet një kult i personazhit, i cili ka popullaritet pavarësisht nëse heroizmi i tij është negativ apo pozitiv. Ndikimi i tij në shoqëri është më me rëndësi sesa të bëmat e tij.”
Superheronjtë e filmave jo rrallë herë kanë ‘dirigjuar’ edhe jetën e njerëzve të cilët kane qenë vetëm audiencë e filmit. Një ndër rastet më të çuditshme që ka ndodhur me fansat e supeheronjve është funerali i një 25-vjeçareje nga Liverpuli, e cila ndërroi jetë pas një beteje me kancerin. Erin Roberts ishte fanse e zjarrtë e filmave me superheronj, e për këtë arsye në funeralin e saj u mblodhën shumë “superheronj”, më shumë se 200 persona të veshur si Superman, Hulk, Batman etj.