Me plot entuziasëm dhe buzëqeshje, fëmijët e Klinikës Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë pritur befasinë që u është bërë sot (24.12.19), nga Organizata “Care for Kosovo Kids”. Vullnetarë të kësaj Organizate në bashkëpunim me vullnetarët e Klubit Alpin Prishtina, janë lëshuar me litarë nga ndërtesa e kësaj Klinike, të veshur me veshje të karaktereve të filmave vizatimorë shumë të dashur për fëmijët, si Spiderman, Superman, Babadimër e të tjerë dhe ju kanë dhuruar lodra e gjëra të tjera fëmijëve në këtë spital. Aksionit i është bashkuar edhe misioni i KFOR-it në Kosovë, të cilët kanë dhuruar një shumë simbolike të parave dhe disa dhurata të tjera simbolike për fëmijët e kësaj Klinike. Radio KFOR-i ka përcjellur për së afërmi këtë aktivitet dhe ka biseduar me Edona Toplicën, menaxhere në “Care for Kosovo Kids”, e cila ka treguar për qëllimin e organizimit të këtij aktiviteti:
“Qëllim i këtij aktiviteti ka qenë që më i gëzu fëmijët, jo vetëm të Repartit të Hemato-onkologjisë, por të gjithë fëmijët që janë në Klinikën Pediatrisë, me nda dhurata, me i gëzu për fundvit dhe me ua lehtësu kohën që e kalojnë në këtë Klinikë. Kemi pasur përkrahje të madhe, sepse më herët nuk është organizuar një aktivitet i tillë, por sigurisht, përkrahja është gjithmonë e mirëseardhur. Kisha dashtë me ju ba thirrje që të gjithë ata që duan të ndihmojnë këta fëmijë, të drejtohen tek organizata jonë, sepse jemi të hapur për çfarëdo ndihme nga kushdo që mendon që mundet me i gëzu të gjithë fëmijët në këtë spital”, tha Toplica për Radio KFOR-in.
Vlen të përmendim se Care for Kosovo Kids që nga viti 2013 siguron të gjitha ilaqet për femijët me kancer në QKUK, ndërsa Klubi Alpin Prishtina angazhohet rregullisht për aktivitete të përgjegjësisë sociale.