Me stinën e Verës, vijnë edhe ditët e ngrohta me diell dhe temperatuat e larta në vendin tonë, që zakonisht kalohen në hapësira rekreative siç janë edhe pishinat e shumta.
Rreth kësaj teme të pishinave, për Radio KFOR-in ka folur edhe Kryeshefi në Ndërmarrjen Sport Marketing, Liridon Llapashtica, Ndërmarrje kjo e cila menaxhon Pishinën e Gërmisë: “Këtë vit ne jemi gati të nisim me sezonën verore në Pishinën e Gërmisë, por reshjet e shiut na e kanë pamundësuar hapjen edhe këtë fundjavë. Në momentin kur të kemi temperatura të favorshme, ne do të informojmë qytetarët për datën e hapjes së kësaj pishine. Për fat të mirë me rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, masat vetëm se kanë filluar të lehtësohen. Jemi të disiplinuar karshi këtyre rekomandimeve të cilat janë respektuar në maksimum edhe vitin e kaluar.”
Funksionimi i rregullt i pishinave u bë edhe më i vështirë me të gjitha masat strikte mbrojtëse, në luftën kundër ‘CoVid-19’, mirëpo me uljen e rasteve të të prekur me virusin ‘CoVid-19’ në ditët e fundit, le të shpresojmë për një verë më të freskët dhe me pishina të hapura, gjithmonë duke respektuar masat anti-covid.