Data 20 prill, do të jetë shumë ngjyrëshe për fëmijët, përmes shfaqjes me kukulla “Libri shumëngjyrësh”, që do të jepet në Teatrin “Dodona”, në Prishtinë, në dy termine, prej orës 12:00 dhe 13:00.
Ky libër shumëngjyrësh është një panoramë e ngjyrave të jetës, ku ngjyra e gjelbër simbolizon gjelbërimin dhe natyrën, ngjyra e kaltër, detin, qiellin dhe ujin, e bardha, bardhësinë, bukurinë dhe pastërtinë, ndërsa ngjyra e verdhë simbolizon shkëlqimin e artë të Saharës. Të gjitha këto nuanca në mënyrë shumë atraktive i paraqesin ngjyrat e botës që na rrethon, ku fëmijët nëpërmjet muzikës dhe lojës do të njihen me këto faqe, me natyrën dhe jetën që na rrethon. Dramatizimin dhe regjinë e shfaqjes “Libri Shumëngjyrësh”, e ka realizuar Melihate Qena, ku interpretojnë aktorët:Roza Berisha, Avni Hoti, Avdi Azemi dhe Valdet Rama.