Pas anulimit të disa garave për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia ‘COVID-19’, Federata e Boksit të Kosovës (FBOXK), tashmë ka publikuar kalendarin e garave për intervalin kohor për muajt Shtator-Dhjetor 2020. Gjatë kësaj periudhe Federata në fjalë ka paraparë realizimin e shumë turneve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Për më shumë rreth këtyre garave na ka informuar zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, i cili për Radio KFOR-in u shpreh: “Edhe pse në kohë pandemie, Federata ka vazhduar me përgatitjet e boksierëve të përfaqësueses në kategoritë: Senior, Junior dhe për Femra. Tashmë kemi adaptuar edhe kalendarin e ri të garave nga muaji shtator deri në dhjetor. Gjatë kësaj kohe priten të mbahen shumë turne, ndër to edhe turniri „Lah Nimani“, ku do të marrin pjesë edhe katër shtete nga rajoni. Përveç kësaj, ne kemi pranuar edhe ftesa për meçe nga Çekia, Polonia dhe Qiproja, ku pritet të mbahet Kampionati Evropian U22. Shpresojmë që kësaj radhe të mos kemi probleme me anulim të turneve, për shkak se boksierëve iu duhet të mbajnë formën, të ushtrojnë dhe të kenë meçe pasi që vitin e ardhshëm i kemi edhe kualifikimet për Lojërat Olimpike.”
FBOXK gjithashtu ka lutur klubet e boksit të Kosovës që nëse kanë paraparë organizimin e ndonjë turniri deri në fund të muajit dhjetor 2020 ta paraqesin në FboxK.