Rubrika “Artist of the Day”, sot i dedikohet një këngëtari, pianisti dhe kompozitori britanik që ka shitur më shumë se 300 milion inçizime. Është Elton John, i cili duke kombinuar në mënyrë unike stilet Pop dhe Rock, u kthye në një nga ikonat më të mëdha muzikore të shekullit të 20-të. I lindur më 25 Mars 1947, në Pinner të Anglisë, me emrin e vërtetë, Reginald Kenneth Dwight, zbuloi pasionin e tij për muzikë qysh në moshë të re dhe mësoi vetë se si të luante në piano kur ishte vetëm katër vjeç. Ai braktisi shkollën në moshën 17 vjeçare për të ndjekur ëndrrën e tij dhe filloi të luante muzikë me një grup të quajtur “Bluesology”. Nga ky moment, ngjitja drejt majave të suksesit, nuk do të kishte të ndalur. Kënga “Sorry Seems to Be the Hardest Word”, është një nga këngët më identifikuese të Elton John e cila u publikua në vitin 1976, 9 vite pasi John aplikoi në një konkurs për autor të këngëve, në shtëpinë diskografike “Liberty Records”. Në vitin 1970 lansoi single-in “Your Song”, që shënoi super-hitin e parë të Elton John-it. Elton John përveç muzikës, u bë po aq i famshëm edhe për mënyrën e shfaqjes së tij në publik. Ai ishte gjithmonë i veshur me kostume të mrekullueshme por të ekzagjeruara, të denja, madje edhe për karnavale. Në një intervistë ai shpjegoi se pse vishej në mënyrë të tillë duke thënë: “Unë nuk isha një sex-simbol si David Bowie, Marc Bolan ose Freddie Mercury, kështu që unë vishesha në një mënyre më shumë humoristike, sepse nëse do të rrija për dy orë mbi piano në një koncert, doja të bëja njerëzit të më shikojnë dhe t’ua terheq vëmendjen”.
Elton John vazhdoi të krijonte muzikë e këngë të reja deri në vitet e fundit të karrierës së tij të gjatë e të bujshme. Në vitin 2006 ai lansoi “The Captain & Kid”, një vazhdim i përpjekjes së tij të hershme autobiografike, ndërsa në vitin 2010 ai u bashkua me Leon Russell, teksa realizuan një turne të përbashkët. Në vitin 2013, John publikoi albumin e 30-të në karrierë “The Diving Board”, ndërsa me datën 24.01.2018, ai njoftoi se do të tërhiqej nga muzika pasi të përfundonte turneun e tij të planifikuar “Farewell Yellow Brick Road”.
“Prioritetet e mia kanë ndryshuar” tha John, duke përmendur dëshirën e tij për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Në janar të vitit 2020, John dhe Taupin fituan ne kategorinë “Kënga më e mirë origjinale” në Golden Globe Awards, për këngën e tyre “Love Me Again” e cila ishte kolonë zanore e filmit “Rocketman”.