Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë e ka bërë ‘botën më të vogël’ dhe ka sjell mundësi të pafundme. Të rrethuar nga teknologjia sot, ndalimi i saj për fëmijët është i pamundur, por ekzistojnë mundësi përmes së cilave do të mund t’ua zvogëlojmë fëmijëve ekspozimin e gjatë ndaj teknologjisë. Për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë ne, në mënyrë që fëmijët t’i largojmë nga varësia ndaj teknologjisë, Radio KFOR-i ka intervistuar Psikologen dhe Terapisten Stimuluese, në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku B.I”, Vlora Fejza e cila tha: “Në dekadat e fundit fëmijët janë shumë të ekspozuar ndaj teknologjisë. Është shumë e rëndësishme për të gjithë prindërit që të bëjnë kujdes rreth kohës se sa qëndrojnë fëmijët e tyre para pajisjeve teknologjike, impakti i TV tek fëmijët mund të jetë shumë përfitues, por në të njëjtën kohë mund të jetë edhe shumë i dëmshëm. Fëmijë të cilët në moshën e hershme janë ekspozuar ndaj ekraneve televizive, në moshat më të vonshme të zhvillimit, kanë tendenca të kenë më shumë probleme në sjellje, të kenë vështirësi në komunikim, të jenë më të tërhequr dhe krijojnë më pak kontakte me bashkëmoshatarët e tyre. Andaj është e rekomandueshme që fëmijët nga mosha 0 deri në 6 vjeç, të mësojnë përmes lojës. Loja është mënyra kryesore e të nxënit në fëmijërinë e hershme. Fëmijët e vegjël nxënë më mirë nëpërmjet përvojave personale dhe metodave multi-sensoriale të mësimdhënies, që nxisin ndjesinë e tyre natyrale të kuriozitetit. Gjëja më e bukur e fëmijërisë janë lojërat, ato në ajër të pastër, me lëvizje e zbulime, ku fëmijët vrapojnë, bien, bëhen pis, qeshin dhe qajnë. Arsyet për të luajtur në ajër të pastër janë pa fund, duke luajtur në natyrë ndihmojmë rritjen në harmoni të fëmijës, duke mbështetur aktivizimin e tij dhe në të njëjtën kohë duke zhvilluar anën intelektuale, emotive, shpirtërore dhe fizike në përgjithësi, me që lojërat në natyrë ndihmojnë në mirëqenien e fëmijës.”
Psikologe Fejza, gjithashtu potencoi dobitë e shëtitjes së fëmijëve në natyrë: “Disa nga dobitë tjera të lojës në natyrë janë: ndihmon në rritjen e krijimtarisë të fëmijës, përmirëson përqendrimin, garanton një ekuilibër në zhvillimin fizik, ndihmon në lidhjen shoqërore dhe në aktivitetet në grup, rrit disiplinën ndaj vetes dhe rregullimin e tij.”