Sot, 29 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka filluar me testimin e qytetarëve për ‘CoViD-19’ në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Në një njoftim për media, ky Institut ka bërë të ditur se testimi do të vazhdojë edhe nesër, 30 dhjetor 2020, duke filluar nga ora 09:30 deri në orën 13:00.
“Marrja e mostrave të hundës dhe fytit, bëhet në baza vullnetare për qytetarët që dëshirojnë të testohen me RT-PCR. Procedura e marrjes së mostrave bëhet sipas protokolleve të IKSHPK nga ekipet me përvojë, të cilat marrin mostra rregullisht në IKShPK dhe në terren, nëpër institucionet e ndryshme, sipas indikacioneve epidemiologjike. Duke pasur parasysh rëndësinë e marrjes së mostrave për testimin e rasteve të cilët nuk kanë shenja të sëmundjes, IKShPK apelon tek qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2, duke ju informuar gjithashtu se testimet vazhdojnë në IKShPK dhe të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë”, thuhet tutje në këtë njoftim të IKShPK-së.
Nga IKSHPK-ja, njoftojnë gjithashtu se përkundër rënies së rasteve të të prekurve me ‘CoViD-19’, do të vazhdojnë me testimin dhe sensibilizimin e qytetarëve në parandalimin e ‘CoViD-19’.