Ngjyrat dhe emocionet kanë lidhje të forta mes vete. Secila ngjyrë mund të krijojë emocione dhe ndjenja të ndryshme. Ato na bëjnë të ndihemi të lumtur apo të mërzitur, të uritur apo të relaksuar. Ngjyrat të cilat dominojnë veshjen tonë, tregojnë shumë për ne, për gjendjen tonë shpirtërore dhe mënyrën se si ndihemi.
Radio KFOR-i ka kontaktuar edhe psikologen klinike, Antigona Qenaj Sejdiu, e cila shpjegon aspektin psikologjik të ndikimit të ngjyrave tek ne. “Në momentin që ne i shohim ngjyrat, na bëjnë të ndihemi në një mënyrë specifike duke krijuar kështu një kujtim, një imazh apo mendim tek ne. Për shembull, ngjyra e gjelbër na jep ndjenjën e relaksit dhe të rehatisë, ngjyra e kuqe varësisht nga intensiteti jep ndjenjën e dashurisë apo frikës dhe rrezikut. Ngjyra e kaltër ftohtësi, ndërsa ngjyra e portokallit na bënë të ndjehemi më energjik. Pra, rëndësi ka edhe intensiteti i ngjyrës dhe kombinimi me ngjyra të tjera. Përmes ngjyrave që ne zgjedhim të vishemi apo të mobilojmë shtëpinë ose zyrën, ne pavetëdijshëm shfaqim personalitetin tonë dhe mënyrën se si ndihemi.”
Radio KFOR-i në vazhdim ju sjell listën e ngjyrave dhe ndikimin e tyre tek ne:
- Ngjyra e kuqe – ju bën të ndiheni pasionant dhe energjik
- Ngjyra e portokalltë – ju bën të ndiheni energjik dhe entuziast
- Ngjyra e verdhë – ju bën të ndiheni të lumtur dhe spontan
- Ngjyra e gjelbër – ju bën të ndiheni optimist dhe të freskuar
- Ngjyra e kaltër – ju bën të ndiheni të sigurt dhe të relaksuar
- Ngjyra vjollce – ju bën të ndiheni kreativ
- Ngjyra rozë – ju bën të ndiheni romantik
- Ngjyra kafe – ju bën të ndiheni stabil dhe mbështetës
- Ngjyra e zezë – ju bën të ndiheni klasik dhe serioz
- Ngjyra e bardhë – ju bën të ndiheni të thjeshtë
- Ngjyra hiri – ju bën të ndiheni serioz dhe profesional