Një nga gjërat që duhet përkujdesur për t’ua mësuar fëmijëve, është kujdesi që ata duhet të kenë për natyrën, në mënyrë që ajo të jetë sa më miqësore me njerëzimin.
Projektmenaxheri në Organizatën Mjedisore ’Let’s Do It Kosova’, Besnik Shabiu për Radio KFOR-in thotë se tani më shumë se kurrë ekziston nevoja për të rritur në maksimum investimin te gjeneratat e reja: “Jo rrallëherë thuhet që nga natyra marrim atë që e meritojmë. Pra është një lloj lidhje e ndërsjellë kjo, sjellja jonë ndaj saj përcakton të mirat apo jo të mirat që natyra ndan për ne. Nisur nga kjo, sot jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve në planetin TOKË, të cilat na bëjnë me dije se veprimet tona janë fare pak në harmoni me ligjet e natyrës. Nëse duam që natyrën dhe veprimet e saja karshi nesh t’i kthejmë në të mirën tonë, atëherë duhet të rrisim në maksimum investimin tek gjeneratat e reja”.
Sipas Z. Shabiu, gjeneratat e reja do të jenë promotore të shumë ndryshimeve pozitive në të mirë të mbrojtjes së resurseve që ka natyra, andaj ai tregon se si mund të bëhet një gjë e tillë: “Kjo mund të arrihet duke filluar nga shkollat e të gjitha niveleve, duke u futur komponenta edukative mjedisore si një nga komponentet kyçe. Pastaj përmes ekspeditave, trajnimeve, projekteve etj. Sa më shpejt që edukimi i gjeneratave të reja të bëhet prioritet mbi prioritete, aq më shumë do të kemi kohë t’i rikuperojmë dëmet që i kemi shkaktuar natyrës. Kohë kemi fare pak. Andaj pse po presim?”.
Kujtoni gjithmonë që natyra është miqësore me ne, aq sa jemi ne me të!