‘Educational Center Kosova’ me qendër në Kosovë, përfaqëson mbi 70 shtëpi botuese nga Evropa dhe Amerika që përfshijnë aktivitete të shumta në shumë fusha. Në bashkëpunim me ‘National Geographic Learning’ që është një nga shtëpitë botuese më prestigjioze në botë, ata kanë organizuar një seminar online.
Bëhet fjalë për një mundësi unike për të gjithë mësimdhënësit dhe studentët në Kosovë, që janë të interesuar për të mësuar gjuhën angleze në nivel akademik duke zhvilluar aftësitë e tyre të leximit, shkrimit, dëgjimit të folurit dhe metodave të tjera të mësimdhënies, mirëpo edhe shumë tema të tjera në gjuhën angleze pa pagesë. Në një intervistë për Radio KFOR-in drejtoresha e ‘Educational Center Kosova’, Merita Mehmeti-Gagica, ka treguar më shumë për këtë program që përfshin projekte të shumta:“Me anë të teknologjisë së re shtëpitë botuese përgatisin edhe webinar që janë seminare me bazë në web. Mësimdhënësit që marrin pjesë në këto seminare kanë mundësi për komunikim të drejtëpërdrejtë me autorë dhe mësimdhënës të tjerë për të shkëmbyer informacione të ndryshme. Këto webinare bëhen kryesisht për mësimdhënës të cilët mund të zbatojnë praktikat që marrin me nxënësit e tyre.”
Të interesuarit mund të regjistrohen në këtë kurs online pa pagesë deri më 20 shkurt të këtij viti, ku do të kenë mundësi të ndjekin ligjëratat e trajnueses së kualifikuar të gjuhës angleze Deborah J. Short.