Aktorja dhe humanistja, njëherit drejtoreshë e Organizatës Joqeveritare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dula, ishte e ftuar sot (22.08.18), në kuadër të emisionit ‘Mëngjesi me ty’ me Pranvera Behrami. Përgjatë bisedës së këndshme, zonja Dula tregoi për aktivitetet e organizatës bamirëse “Nëna dhe fëmijë të lumtur”.
Kjo organizatë si fillim ishte vetëm grup në Facebook për tu shndërruar pastaj në OJQ, ku tani numëron 17 mijë anëtarë të cilët kujdesen për 600 familje skamnore. Në pyetjen e drejtuar se si i kanë përzgjedhur familjet që i ndihmojnë, zonja Dula tha:
“Në fillim i kemi vizituar familjet në nevojë, pastaj familjet skamnore, që janë me asistencë sociale, kanë ardhur tek ne për tu regjistruar. Ne më shumë fokusohemi tek nënat vetushqyese, sepse kanë fëmijë të vegjël, e nuk kanë mundësi të punojnë. Përveç veshmbathjeve e ushqimeve, ato kanë nevoje edhe për ndihma të tjera si p.sh. një nënë ka mbetur pa energji elektrike për një muaj me radhë. Por, pas lajmërimit të rastit në faqen tonë në facebook, “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka pas vullnetmirë që ja kanë paguar komplet borxhin.”
Më tutje zonja Dula tregoi se ka shumë persona që kanë shprehur dëshirë për të ndihmuar, si doktorë që iu kanë ofruar kontrolle falas, është ofruar shkollim falas e po ashtu është ndërtuar edhe një shtëpi për një familje që ishte pa nënë dhe pa strehë.
Edita tregoi për ndihmat e shumta që janë duke i dhënë ku shprehu falënderimin e saj për të gjithë ata që ndihmojnë, por edhe u kërkoi ndihmë të gjithë vullnetmirëve dhe kompanive të ndryshme t’i ndihmojnë në kampanjën e tyre “Shtatori sivjet me çantën komplet”.