“Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!”, kjo është motoja e edicionit të VIII-të me radhë të festivalit feminist- “FemArt”. Megjithëse festivali ishte paraparë që të mbahej në datat 15 deri më 20 maj 2020, ky edicion nuk u realizua për shkak të pandemisë Covid-19, mirëpo Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, ka publikuar datat e reja. Sipas organizatorëve të këtij eventi, ‘FemArt’, është planifikuar të mbahet nga 15 deri më 20 tetor 2020, ku artistë dhe aktivistë nga vendi dhe nga mbarë bota, me veprat e tyre artistike do të mundohen që të japin një këndvështrim të ri për mënyrën se si e shohin ata, se çfarë do të ndodhte sikur gratë të kishin më shumë fuqi. Përgjegjësja për marrëdhënie publike nga “Artpolis”, Venera Ismaili, në një intervistë për radio KFOR-in, tregoi ndër të tjera rëndësinë që ka gjithë përfshirja etnike edhe në këtë edicion: “Tridhjetë (30) anëtarë janë të angazhuar në këtë festival dhe aty është një gjithëpërfshirje e komuniteteve: atij serb, shqiptar, rom dhe të nacionaliteteve të tjera. Për të rinjtë në këto aktivitete, sidomos kur paraqiten si vullnetar, kjo është një ngritje profesionale për ta, sepse ata mësohen në këtë mënyrë se si duhet menaxhuar një aktivitet brenda një festivali dhe kjo është shumë e dobishme për ata”.
‘Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste – FemArt” është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë, duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon.