Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia ‘Covid – 19’, Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër ‘DokuFest’, edicionin e 19-të me radhë do ta bartë në sferën dixhitale dhe do ta jetë i hapur nga data 7 deri më 25 gusht 2020.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin artistik të Festivalit ‘DokuFest’, Veton Nurkollarin, i cili ka thënë se organizimi i këtij viti ka qenë më ndryshe, por jo domosdoshmërish më i vështirë: “Sfidues ka qenë, sepse është një format që po e bëjmë për herë të parë dhe është dashur të mësojmë mjaft. Në fund, besojmë se do të jetë një edicion interesant, edhe pse do të na mungojë mjaft atmosfera unike e DokuFest-it, në qytetin e Prizrenit. Ne kemi përzgjedhur tri tema ose nocione me të cilat synojmë të nxisim interesim në mënyrën se si konsumohet arti dhe kultura në sferën dixhitale. Pra, një transmetim nga forma fizike në atë online, ose thënë ndryshe një tranzicion drejt transformimit, qoftë të shprehive se si konsumohet arti dhe kultura, por edhe të shoqërisë në këto ndryshime të thella dhe të shpejta, të cilat po ndodhin”.
Z. Nurkollari, pati edhe një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Meqë nuk jemi në situatë të ftojmë qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë që të vijnë në Prizren dhe të shijojnë Festivalin, atëherë ne i ftojmë që të na bashkohen në platformën dixhitale nëpërmjet web faqes zyrtare të DokuFest-it dhe kështu të kenë mundësi të përcjellin programin e Festivalit”.
Këtë vit ky Festival, do të jetë i hapur me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese, si dhe me performanca muzikore online. Frymëzimi për këtë edicion ka ardhur nga bendi britanik post-punk “Joy Division” dhe nga njëra prej këngëve të tyre ikonike. Për ta sjellë festivalin online, ‘DokuFest’ ka bashkëpunuar me ‘Festival Scope’ dhe ‘Shift72’.