Janë të shumtë njerëzit që pëlqejnë kafshët dhe që kanë një kimi të jashtëzakonshme me to, prezenca dhe mirëqenia e të cilave është shumë e rëndësishme për ta. Pikërisht sot (04.10.20), shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Kafshëve’, e cila për mision ka rritjen e statusit të kafshëve, në mënyrë që të përmirësohen standardet e jetesës së tyre.
Alp Mejzini, është një admirues i madh i kafshëve, e sidomos i qenve, prandaj me të drejt Radio KFOR-i morri një opinion nga ai, në lidhje me rëndësinë e kafshës që ai posedon: “Ka 6 vite që kam fituar një shok, një vëlla, një shoqërues të momenteve të të gjitha emocioneve të mia, edhe kur jam i mërzitur, qenin tim e kam pranë, edhe kur jam në kulmin e gëzimit, me qenin tim e ndajë atë, thjesht Pingo, për mua është gjithçka”, tha Alpi.
Kremtimi i ‘Ditës Ndërkombëtare të Kafshëve’, bashkon lëvizjen e mirëqenies së kafshëve, duke e mobilizuar atë në një forcë globale për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjitha kafshët. Përmes rritjes së vetëdijes dhe edukimit, ne mund të krijojmë një botë ku kafshët gjithmonë njihen si qenie të ndjeshme dhe gjithmonë i kushtohet vëmendja e nevojshme.