Data e sotme (12 dhjetor) që përkon me ‘Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal’, e gjenë botën në një situatë shumë komplekse, me pandeminë globale Sars-Cov-2 dhe me sfida të shumta, si pasojë e saj.
Për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi Dr. Faik Hoti, i cili mes tjerash potencoi: “Ky vit që po mbetet pas, përmes një sfide globale siç është COVID-19, do të duhej t’u shërbejë të gjithë popujve që të marrin në mbrojtje kategoritë më të ndjeshme dhe me qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore dhe për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet, varfëria dhe shpenzimet për shëndetin. Motoja: Shëndet për të gjithë, ka kuptim vetëm atëherë kur shtetet do të kenë ngritur sisteme shëndetësore të qëndrueshme, që janë në gjendje t’u përgjigjen së paku kërkesave themelore të qytetarëve të tyre në tre nivele të kujdesit shëndetësor në mënyrë të barabartë, me drejtësi dhe pa diskriminim.”
Dr. Hoti, bëri thirrje po ashtu që kjo ditë të shërbejë edhe si një moment falënderimi për të gjithë ata punonjës shëndetësor, të cilët që nga fillimi i pandemisë COVID-19, ofruan me përkushtim, solidaritet dhe etikë mjekësore shërbime për qytetarët e vendit tonë, pa dallim.