Ndërveprimi njerëzor me natyrën është fushë mbi të cilën janë kryer qindra studime, të cilat për rezultat kanë pasur të mirat shëndetësore të cilat i përfitojmë, nëse ndërveprojmë me natyrën.
Se ecja në natyrë, është një formë e mrekullueshme për të nisur ditën, për Radio KFOR-in tregon trajneri i fitnesit, Fidan Hoti: “Ecja ne natyrë është një formë e mrekullueshme e ushtrimeve. Nëse ecim më shumë se një orë në ditë, kjo ndihmon në jetëgjatësinë tuaj në mënyrë të konsiderueshme. Vetëm 20 minuta ecje gjate ditës, mund të djeg deri në 3.1 kg në vit. Të kaluarit kohë në natyrë ulë stresin dhe kemi shëndet më të mirë fizik.”
Studimet e shumta tregojnë gjithashtu se mjaftojnë vetëm 15 deri në 30 min. ecje në ditë në natyrë, si pjesë e rutinës tuaj, për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të trupit dhe të shëndetit si dhe ndihmon në parandalimin e demencës, parandalon sëmundjet kardiake, ndikon në uljen e riskut për zhvillimin e diabetit, 30 minuta ecje përditë jo vetëm që do të reduktojnë riskun për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë, mirëpo do të ulë edhe riskun e prekjes nga depresioni.
Natyra me të gjelbrën e saj, do t’ju bëjë që të keni një mendje më të qetë dhe më të relaksuar.