Data e nesërme 23 prill, është përzgjedhur të njihet ndryshe edhe si ‘Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave Autoriale’. Përcaktimi i kësaj date nuk është bërë rastësisisht, pasi që 23 prilli përkon me ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të madh të të gjitha kohërave William Shakespeare, e po ashtu edhe në të njëjtën datë është ndarë nga jeta edhe Miguel Servantes, autor i librit ‘Don Kishoti i Mançes’, që cilësohet si vepra më e përkthyer në botë.
Edhe Kosova i bashkohet botës në shënimin e kësaj date të rëndësishme për të drejtat e autorit. Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Valon Kashtanjeva, në një intervistë për Radio KFOR-in ka treguar aktivitete e shumta që e pëcjellin shënimin e 22 Prillit:
“Zyra për të Drejtën e Autorit si çdo vit tjetër, në muajin prill e ka edhe kohën kur në mënyrë të organizuar, bënë organizimin e ngjarjeve të cilat bëhen me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe eduktimit të qytetarëve për rëndësinë e të drejtës së autorit, për dëmet që i shkakton shkelja e të drejtës së autorit, pra priratëria dhe për rëndësinë që kjo e drejtë ka për nxitjen dhe kreativitetin si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës, por në përgjithësi edhe për rritjen ekonomike të vendit.”
Në kuadër të kësaj fushate, po mbahen takime me qytetarë, ligjerata me studentë si dhe me grupe të biznesit me qëllim vetëdijësimin për të drejtat e autorit, pronësisë industriale si dhe mënyrës së mbrotjes së këtyë të drejtave.