Historitë shumë etnike të suksesshme krijohen më së miri në ato vende ku jetojnë kombësi të ndryshme, siç jetojnë edhe në Kosovë. Kësaj radhe, Radio KFOR-i do të dajë me ju historinë e zotëri Fadil Rama, 54 vjeçar, nga fshati Strezofc, komuna e Kamenicës i cili në një prononcim për Radio KFOR-in tregoi për gjyshen Vladica Diçiq, të cilën e ndihmon me ushqim: “Është një fshat Vaganesh dy kilometra nga fshati im ku jeton një plakë serbe, e cila i ka 90 vjet dhe jeton e vetme. Ajo e ka një djalë në Kamenicë, por prej që është shfaqur pandemia ai nuk ka ardhur as një herë këtu lart. Ajo ka pasur nevojë për ushqim e për pastërti, prandaj kemi vendosur unë dhe familja ime t’i ndihmojmë, sepse thosha se mund edhe të vdes për bukë, e do të ishte turp për mua, familjen time e për të gjithë. Çdo të dytën apo tretën ditë ia kam dërguar ushqimin dhe nuk e kam shikuar a është serbe apo çka. Kur shkoj atje ajo më uron në gjuhën serbe dhe qanë nga gëzimi kur më sheh që po ia dërgoj ushqimin. Nuk bën të bëjmë dallime se a është shqiptar, rom, serb apo çfarë besimi ka, por duhet të ndihmojmë secilin me çka të mundemi.”
Gjyshja Vladica Diçiq, në një bisedë me Radio KFOR-in, gjithashtu nuk e fshehu mirënjohjen e saj për Z. Fadilin, për gjithçka që ai bën për të. Ajo nuk e shikon atë si një fqinj shqiptar, por thekson se ai është djali i saj i tretë dhe vëren se pa të ajo do të ishte plotësisht e vetme: “Vëllai im erdhi nga dyqani dhe më solli ushqim dhe pije. Tavolina ime tani është e mbushur plot. Njëri nga djemtë e mi është në Beograd, por ne nuk dëgjohemi me njëri-tjetrin dhe tjetri është në Kamenicë me gruan e tij. Zoti e ndihmoftë këtë vëlla nga Strezofci. Ai më solli një tryezë plot me ushqim.”
Në fund të bisedës sonë Gjyshja Vladica, shtoi gjithashtu se serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë në harmoni, pavarësisht nga dallimet.