Sot (06 maj), kudo në botë shënohet ‘Dita Botërore pa Dietë’, si një mundësi për të pranuar trupin tonë, ashtu siç jemi.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka marrë një mendim nga dietologia dhe nutricionistja znj. Ajshe Ibrahimi, e cila për dëgjuesit dhe lexuesit tanë ofroi këtë këndvështrim: “Dilni përpara pasqyrës dhe komplimentoni trupin tuaj, mos mbani dieta drastike, por thjesht krijoni një rutinë të balancuar, ku duhet të dominojnë ushqimet e shëndetshme dhe aktiviteti fizik”.
Kjo ditë i kushtohet gjithashtu edhe promovimit të një stili të shëndetshëm jetese, duke përjashtuar dietat e rrezikshme. Këtë vit ‘Dita Botërore pa Dietë’, shënohet me moton “Duaje trupin tënd”.