Në prag të Festivalit ndërkombëtar të muzikës “Sunny hill Festival”, sot (02 gusht) në Prishtinë, u mbajt konferenca për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”, nga Dua Lipa, babai i saj Dukagjin Lipa, Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Gezim Gashi nga “Institute of Arts and Innovation”.
Me këtë rast , “Sunny Hill Foundation” dhe Komuna e Prishtinës nënshkruan marrëveshjen për dedikimin e hapësirës në Prishtinë, e cila me ndihmën e Fondacionit do të rikthehet përsëri në duart e rinisë prishtinase dhe asaj kosovare në përgjithësi.
Për jetësimin e qendrës kulturore për të rinjtë, e cila do të funksionalizohet gjatë vitit 2020, “Sunny Hill Foundation” ndau shumën prej 150 mijë Euro.
E pranishme në këtë konferencë ishte edhe një përfaqësuese nga radio KFOR-i, e cila i pyeti Duan dhe Dukagjin Lipën, se sa ka ndikuar ky festival në bashkimin e komuniteteve, jo vetëm botërore por edhe atyre që jetojnë në Kosovë:
“Ne i ftojmë të gjithë fqinjët tanë me na u bashkëngjitë, kushdo që ka dëshirë me e ndjekë festivalin, janë shumë të mirëseardhur, sepse qëllimi i festivalit është argëtimi dhe njoftimi me njerëz të rinj, varësisht cilit komunitet i takojnë”, theksoi Dukagjin Lipa.
Ndërsa Dua ishte e prerë dhe e saktë në përgjigjen e saj, duke nënvizuar:
“Muzika është gjuhë e përbashkët për të gjithë njerëzit nga e gjithë bota “ .
Theksojmë se në këtë konferencë u bë edhe shpalosja e bashkëpunimit të parë në mes të “Sunny Hill Foundation” dhe “Institute of Arts and Innovation”, me ç ‘rast tre të rinj të talentuar nga Kosova, të përzgjedhur nga përfaqësues të “Quincy Jones Production” dhe “Institute of Arts and Innovation”, do të udhëtojnë në Los Angeles të Amerikës.