Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, më 7 gusht, filloi edicionin e 19-të me radhë, por për shkak të pandemisë ‘Covid -19’, ky festival është duke u mbajtur online dhe do të zgjasë deri më 25 gusht. Ketë vit mbi 90-të filma konkurrues që përfaqësojnë 51 vende të ndryshme të botës, do të paraqiten në shtatë kategori: Balkan Dox, International Dox, International Shorts, Human Rights Dox, Green Dox, Truth dhe National. Në platformën online, do të ketë edhe programe të tjera speciale, argëtuese dhe edukative si dhe diskutime me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar. Udhëheqësi i programit të edukimit “DokuLab”, Eroll Bilibani për Radio KFOR-in tregoi se të gjitha debatet do të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe: “Do të flasim për mësimet nga e kaluara që është pjesë e bashkëpunimit tonë me “Fondin për të Drejtat Humanitare”, me zyre në Prishtinë e mbështetur nga Ambasada Zvicerane. Programi është shumë interesant, sjell një laramani të folësve nga rajoni, të cilët do të flasin për mënyrën se si flitet sot për të kaluarën. Do ta kemi Sandra Orllovic dhe Alban Ukaj, duke iu dhënë mundësi edhe artistëve të tregojnë se si ata me punën e tyre mundohet që të trajtojnë temën e ballafaqimit me të kaluarën.”
Artdashësit dhe të interesuarit, filmat e shfaqur në “DokuFest” mund t’i shohin duke paguar një tarifë të vogël, online, por aty ofrohen edhe disa pako me filma falas. Për t’u njoftuar më hollësisht për kohën dhe mundësitë e ofruara, ju mund të klikoni në faqen zyrtare të DokuFest: https://dokufest.com.