Festivali ‘DokuFest’, që sot njihet si më i madhi për sa i përket filmit dokumentar dhe të shkurtër në juglindje të Evropës, ka shpallur fituesit e edicionit të 19-të me radhë. Në ceremoninë online e cila këtë vit u zhvillua në sferën virtuale, u shpallën 90 filma të cilët ishin reprezentues të 51 vendeve, që konkurruan në 8 seksione garuese e të cilat u shikuan online nga juria e sivjetshme.
Mirëpo në platformën online, do të ketë edhe programe të tjera speciale, argëtuese dhe edukative si dhe diskutime me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, njoftoi kështu për Radio KFOR-in ditë më parë, udhëheqësi i programit të edukimit “DokuLab”, Eroll Bilibani dhe njoftoi gjithashtu se të gjitha debatet do të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe: “Do të flasim për mësimet nga e kaluara që është pjesë e bashkëpunimit tonë me “Fondin për të Drejtat Humanitare”, me zyre në Prishtinë e mbështetur nga Ambasada Zvicerane. Programi është shumë interesant, sjell një laramani të folësve nga rajoni, të cilët do të flasin për mënyrën se si flitet sot për të kaluarën. Do ta kemi Sandra Orllovic dhe Alban Ukaj, duke iu dhënë mundësi edhe artistëve të tregojnë se si ata me punën e tyre mundohet që të trajtojnë temën e ballafaqimit me të kaluarën.”
Vlen të përmendim se fitues i edicionit të 19-të me radhë, u shpall filmi “Once Upon a Youth”, nga Kroacia. Artdashësit dhe të interesuarit, filmat e shfaqur në “DokuFest”, mund t’i shohin duke paguar një tarifë të vogël online deri me datën 25 gusht 2020, por aty do të ju ofrohen edhe disa pako me filma falas, ndërsa për më shumë detaje, mund të njiheni në faqen zyrtare të DokuFest: https://dokufest.com.