Kinemaja e vetme në Prizren Doku-kino feston 5 vjetorin e themelimit dhe me këtë rast do të organizoj aktivitete të shumta.
Në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in menaxherja e kësaj kinemaje Valkida Shukriu Marseli, na njoftoi me programin e organizuar për nder të festës së kinemasë:
“5 vjetori i Doku-kinemasë së Prizrenit shënohet me 3 dhjetor, mirëpo ne do të fillojmë festën nga 1 dhejtori për arsye të animacioneve dhe filmave që shfaqen në kinema për fëmijë. Me 1 dhe 2 dhjetor do të organizojmë aktivitete për të vegjëlit, ku aktivitetet do të vazhdojnë edhe me 3 dhjetor. Të hënën me 3 Dhjetor për ditëlindjen e 5-të të Doku-kinemasë do të fillojnë shfaqjet e filmave nga ora 17:00 deri në orën 22:00 për të gjithë shikuesit ku do të ketë edhe lojë shpërblyese dhe pjesëmarrësit do të kenë mundësi të fitojnë shpërblime”, tregoi Valkida.
Ajo po ashtu tregoi se gjatë këtyre 5 viteve që nga themlimi i Doku-kinemasë kjo kinema ka arritur të shfaqë rreth 540 filma që ishin premiera botërore duke bashkëpunuar me partnerë nga Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe vende të tjera.