DJ Christodoulos, është emri që tash e tutje do e dëgjoni shumë më shpesh në frekuencat e Radio KFOR-it. I lindur në vitin 1981, në Moschato dhe i rritur në Korydallo, të Greqisë, DJ Christodoulos është emri që gërsheton muzikën moderne dhe shkrirjen e saj në zhanrin e muzikës house.
Muzika i hyri në shpirt, qysh kur ai ishte në moshën 8 vjeçare, kur bleu diskun e tij të parë dhe që nga kjo moshë, jeta e tij ka qenë e rrethuar nga muzika. Karrierën si DJ, e ka filluar në vitin 1997, në barin (lokalin) Aurora, që është jo vetëm një bar i famshëm, por cilësohet edhe si bari historik i qytetit grek Korydallos. DJ Christodoulos për Radio KFOR-in ka treguar për fillimet dhe rrugëtimin profesional të tij: “Për 8 vjet kam luajtur muzikë, nëpër të gjitha llojet e ahengjeve që kam qenë i ftuar dhe muzika ime ka kumbuar nëpër baret më të njohura në Greqi. Përgjatë kësaj kohe, njohuritë e mia për lloje të ndryshme të muzikës po rriteshin vazhdimisht. Pas gjithë kësaj kohe, vendosa të përqendrohesha në muzikën që më përfaqëson më së shumti, atë house!”
I influencuar kryesisht nga muzika Afro & Deep House, DJ Christodoulos filloi krijimin e remix-eve të para të këngëve të artistëve të mëdhenj si Adele, Dennis Ferrer, Jerome Sydenham, Emeli Sandé, Lana Del Rey, Louie Vega, Martin Garrix, Queen, David Bowie, etj. Tingujt e veçantë të muzikës së DJ Christodoulos, do të shoqërojnë të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, meqenëse ai është bërë mysafir nderi i Radio K4, me një emision special.
Në 21 vite të ekzistencës, Radio KFOR-i njihet si radio stacion që gjithmonë ka plasuar dhe vazhdon të plasoj muzikë të mirëfilltë dhe që gjithmonë është në hap me kohën dhe trendet muzikore, andaj edhe përmes bashkëpunimit me DJ Christodoulosdo, dëgjuesit do të kenë mundësi që të kënaqen me zhanrin e muzikës house si dhe remikse të hiteve dhe mega hiteve botërore.
Këtë emision të veçantë, dedikuar zhanrit house, nën remix-et e DJ Christodoulos, dëgjuesit do të kenë mundësi ta dëgjojnë, çdo të diele nga ora 19:00 deri në orën 20:00, në të dy radio stacionet e Radio KFOR-it: në gjuhën shqipe dhe serbe.