‘Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve – 1 Qershori’, këtë vit e gjen botën në një gjendje jo të favorshme për më të vegjlit për shkak të pandemisë, të cilët këtë ditë kryesisht e festojnë përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, këndojnë, festojnë, vallëzojnë dhe dëfrehen me njëri tjetrin në ambiente të hapura. Megjithatë, duke shfrytëzuar imagjinatën dhe kreativitetin që fëmijët kanë, nuk do ta kalojnë këtë ditë pa e shënuar, përmes ndonjë aktiviteti edhe nga shtëpitë e tyre.
Kësisoj, do të veprojnë edhe Ajan Rexhaj dhe Nida Havolli, të cilët Radio KFOR-it i treguan se çfarë e kanë ndërmend të bëjnë në ditën e tyre: “Unë jam duke përgatitur disa fluturake bashkë me motrën time, do ti ngjyrosim ato dhe do të dalim në oborr, e derisa ato fluturojnë nëpër hapësirë, ne të dy do të vallëzojmë dhe këndojmë, kurse mami do të kujdeset që këto momente t’i xhiroj, për ti pasur kujtim”, pohoi Ajani.
Ngjashëm do të karakterizohet edhe dita e Nidës, e ajo për Radio KFOR-in, tha: “I kam lutur prindërit që sot të mund ta sjell në shtëpi shoqen time të ngushtë, Lean, të cilën nuk e kam parë qe 2 muaj dhe bashkë do të bëjmë shumë aktivitete .Ajo e ka zërin shumë të bukur, ndërsa unë vallëzoj bukur. Besoj që do të kënaqemi shumë.”
‘Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve’, nuk është vetëm një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për ti thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.