Data 12 gusht, që nga viti 1999, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Rinisë’, ku të rinjtë nga e mbarë bota po e shënojnë ditën e tyre. Janë një sërë aktivitetesh online që do të shënojnë ditën sotme, ka njoftuar për Radio KFOR-in, menaxheri i projekteve në “Rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN”, Erblin Ajdini: “Është e rëndësishme me i përmend disa programe që janë duke shkuar online dhe falë këtyre aktiviteteve ne po e shënojmë në një farë mënyre ‘Ditën Ndërkombëtare të Rinisë’, çdo ditë. Programet e ‘Innovations Lab Kosovo’ por edhe programe të tjera që ndërlidhen me zhvillimin e mendimit kritik por edhe të aftësive profesionale të të rinjve. Ditën Ndërkombëtare të Rinisë’ kemi me e shënu online, kemi me i vë theks një projekti apo iniciative e cila ka pas sukses përgjatë kësaj periudhe – duke i bërë të rinjtë veprimtarë se si munden të përmbledhin dhe përçojnë sfidat e vitit 2020 duke propozuar ide, iniciativa apo projekte që ndërlidhen me sfidën e CoViD-19. Një projekt shumë i rëndësishëm është edhe ‘Youth Care for Kosovo’, që u mundëson të rinjve qasje në informacione teknike por gjithashtu edhe organizative se si munden me qenë agjentë të ndryshimit pozitiv në shoqëri duke ndikuar në ruajtjen e ambientit.”
Shënimi i “Ditës Ndërkombëtare të Rinisë” synon promovimin e aktiviteteve për të rinjtë, me qëllim që të pranohen dhe njihen përpjekjet dhe përkushtimi i të rinjve në mbarë botën për përmirësimin e shoqërisë.