Një nga mënyrat më të thjeshta por shumë domethënëse, shpirtërore e emocionale për të treguar dashuri për të tjerët, është përqafimi. Një përfaqim çliron hormonet e dashurisë, redukton nivelin e stresit, zvogëlon dhimbjet parandalon depresionin dhe ka shumë e shumë përfitime të tjera. Një përqafim, mund të ndryshojë jetën, andaj 21 janari, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Përqafimit”. Ndryshe nga vitet e shkuara, 2020 dhe 2021 po e gjen botën në ‘mungesë’ përqafimesh ndaj njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë së CoViD-19. Mirëpo, kjo nuk e ndalon dëgjuesen e Radio KFOR-it, Vlera Pllana që të besoj se shumë shpejtë ne do të festojmë çdo ditë duke përqafuar njëri-tjetrin: “Përqafimi ka shumë efekte pozitive tek personi që e dhuron dhe tek ai që e pranon. Pandemia na ka pamundësuar që të dhurojmë lumturi e ndjesi dashurie ndaj njëri-tjetrit në aspektin fizik, por mendoj që kjo periudhë veç se e ka shtuar dashurinë tonë ndaj njëri-tjetrit dhe mezi po i presim ditët që ta mundim pandeminë, e të përqafohemi me më të dashurit tanë.”
Ndërkohë, dëgjuesi Alket Zeqiri, më gjithë pamundësinë që sot të përqafoj më të dashurit e tij, numëron të mirat shpirtërore që ka një përqafim: “Atë që është e pamundur ta thonë fjalët e thotë një përqafim. Madje shkencëtarët tregojnë se si ta përqafosh edhe një pemë e liron stresin dhe i bënë mirë trupit. Pandemia na e ka mohuar një gjest të tillë të shprehjes së ndjenjave mes njerëzve, por shpresojmë që edhe kjo do të kalojë shpejt e do të mund t’i përqafojmë fort njerëzit tanë më të dashur.”
“Dita e Përqafimit” është festuar për herë të parë në vitin 1986 dhe mënyra më e mirë për ta kremtuar atë, patjetër që janë dhurimet e përqafimeve, mirëpo në një vit pandemik, forma më e mirë e kremtimit është respektimi i distancës fizike për ta mundur CoViD-19, në mënyrë që shumë shpejt të kemi mundësi të mblidhemi e përqafohemi me të gjithë ata që i duam.