Data e sotme 16 tetori, shënon ‘Ditën Botërore të Ushqimit’, përmes së cilës mëtohet të nxirret në pah gjendja e të uriturve dhe të keq ushqyerve në botë, e veçanërisht kjo ditë nxjerr në pah gjendjen e fëmijëve të uritur. Përkundër gjithë rritjes shkencore dhe prodhimit të shumtë dhe të tepruar të ushqimit, prapëseprapë në botë, njerëzit vdesin nga uria.
Për rëndësinë e ushqimit dhe shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka kontaktuar nutricionisten, Dafina Demolli, e cila tha: “Ushqimi i shëndetshëm përfshin ushqimet e pasura me të gjitha lëndët ushqyese, yndyrëra të shëndetshme, drithëra, fruta dhe perime me shumë ngjyra. Ushqimet e shpejta janë ushqime shumë të përpunuara, të pasura me yndyra trans, sheqer të shtuar, shumë kalorike, ndërsa nivele shumë të ulëta në lëndët ushqyese. Si pasojë e konsumimit të shpeshtë të këtyre ushqimeve paraqiten sëmundje të ndryshme si: depresioni, obesiteti, sëmundjet e zemrës, kanceri i zorrëve, stomakut, diabeti, etj.”
Tutje znj. Demolli, shtoi se më së miri është mbajtja e planeve ushqimore të personalizuara për një kohë më të gjatë, pra një shprehi e të ushqyerit shëndetshëm dhe jo dieta depresive, që na bëjnë të humbim shumë kilogram për një kohë shumë të shkurtër, pasi që në këto raste kemi shumë më shumë humbje të muskujve dhe ujit në trup sesa të shtresës dhjamore.