Dita e parë e shkollës është një ndjenjë që nuk përsëritet, prandaj është shumë me rëndësi që të gjithë fëmijët ta përjetojnë sa më mirë këtë ditë të veçantë të tyre.
Muaji shtator gjithmonë ka qenë i lidhur ngushtë me shkollimin. Kësaj radhe viti i ri shkollor fillon sot (2 shtator), e kjo ditë po shihet si fillim i synimeve dhe sfidave të reja nga profesoresha e Shkollës Profesionale, Shqipe Rama e cila është e bindur se gjeneratat e reja do të arrijnë synimet e tyre, përkundër vështirësive që mund t’i kenë:
“Sot fillon viti i ri shkollor 2019/20, përkundër vështirësive në të cilat do të hasim me tekste shkollore, të cilat do të jenë me kurikulë të re, por ne prapë do të arrijmë që t’i nxitim nxënësit që sa më shumë të arrijnë në dituritë e tyre”
Pas një pushimi të gjatë veror, në mesin e shumë nxënësve që u kthyen në shkollë janë edhe nxënësit të cilët do të ulen për herë të parë në bankat shkollore. Vogëlushja Asia Bajrami, e cila mezi po e priste takimin me mësuesen dhe shokët e saj të rinj, për Radio KFOR-in u shpreh:
“Unë jam Asia Bajrami dhe jam 6 vjeçare, jam shumë e lumtur që po shkoj në klasë të parë dhe që do t’i takoj shokët, shoqet dhe mësuesen time.”
Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues bashkë mund të ndryshojnë botën.