Dita e parë mësimore, për nxënësit dhe mësuesit mbetet ndër ditët më të rëndësishme, sidomos për gjeneratën që regjistrohen për herë të parë në shkollë.
Kjo ditë edhe pse konsiderohet një ditë feste, gjithashtu është fillim i një kapitulli të ri për gjeneratat e reja, prandaj duhet të kemi kujdes të veçantë ndaj tyre, që në këtë ditë, ta ndjejnë veten të mirëpritur në rrethin e ri të shoqërisë. Për rëndësinë e kësaj dite, për Radio KFOR-in ka folur edhe Psikologia Antigona Qenaj Sejdiu: “Fillimi i shkollës, për fëmijët sado që mund të jetë ndjenjë e lumturisë, mund të përfshijë edhe ndjenjën e frikës, stresit dhe ankthit. Jo të gjithë fëmijët ndihen mjaftueshëm të përgatitur emocionalisht për të filluar diçka të re, për të takuar njerëz të rinj dhe për të lënë sigurinë, dashurinë dhe kujdesin që ofron familja në shtëpi, e veçanërisht nëna. Kjo bën, që fëmija të ndihet i pasigurt nëse ambienti i ri, do të jetë po aq i sigurt dhe i dashur sa familja. Prandaj, është shumë me rëndësi që shkolla të ofrojë një ambient të dashur dhe të sigurt fizikisht dhe emocionalisht për fëmijët.”
Rikujtojmë se procesi i ri mësimor, është paraparë të fillojë me datën 13 Shtator, për shkak të situatës epidemiologjike në vend.