Programi i “Family days”, i cili tashmë ka nisur së realizuari në Prizren, po vazhdon aktivitetet e tij në ‘Autostrada Biennale”, ku çdo të diele, prindërit bashkë me fëmijët e tyre kanë mundësi të shohin nga afër ekspozitat e paraqitura.
Qëllimi i realizimit të këtij programit është inkurajimi i prindërve për pjesëmarrje aktive në këto programe edukative, pasi, siç thonë organizatorët, themelet e edukimit vihen në fëmijëri, prandaj Bienalja ka vendosur që këto aktivitete t’i realizoj pa pagesë.
“ Arti është fusha e domosdoshme për njeriun, krahas dijes nevojitet edhe shija. Programet tona e kanë këtë synim, të krijojmë gjenerata të cilat kanë shije të hollë edukative e arsimore”, thuhet në komunikatën për media të kësaj Bienale.
Aktivitetet përkatëse do të vazhdojnë në datat 4, 18, 25 gusht ndërsa më 1, 8 dhe 15 shtator, Autostrada Biennale do të siguroj qasje të pakufizuar në të gjitha hapësirat e festivalit për disa familje.