Për të nderuar personat e prekur me sindromën Down, 21 Marsi shënohet si ditë zyrtare nga ‘Kombet e Bashkuara’ që nga viti 2012. Kjo datë është përzgjedhur për shkak se personat e prekur nga kjo sindromë kanë një kromozom shtesë në kromozomin e 21-të.
Në një intervistë për Radio KFOR-in drejtoresha e organizatës ‘Down Syndrome Kosova’ Sebahate Hajdini-Beqiri, tregoi për sfidat që vazhdojnë të përballen të prekurit me këtë sindrom:
“Çdo vit ne kemi shënuar këtë ditë edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme që kanë për synimin ngritjen e ndërgjegjes së shoqërisë mbi nevojat dhe potencialin që kanë personat me sindromën Down. Personat me këtë sindromë ende ballafaqohen me sfida të ndryshme si pasojë e mos zbatimit të ligjeve dhe ende nuk ka trajtim të barabartë në arsimim dhe punësim. ”
Çdo vit, zëri i njerëzve me sindromën Down dhe ata që jetojnë dhe punojnë me ta, rritet më shumë duke i bërë pjesë të shoqërisë pa paragjykime, duke i ndihmuar që të krijojnë një jetë të shëndetshme dhe të lumtur.