Sot është 13 Shkurti ‘Dita Botërore e Radios’, një ditë për të festuar radion, për të treguar se e duam atë dhe pse na nevojitet tani, më shumë se kurrë. Një ditë për të kujtuar fuqinë unike të radios për të prekur jetët dhe për të bashkuar njerëzit nga të gjitha anët e globit.
Për ta shënuar këtë ditë, Instituti i Mediave të Kosovës në bashkëpunim me UBT-në, sot (13.02.19) organizojnë tryezën e diskutimit me titullin „Radio sot dhe nesër në Kosovë“. Në këtë tryezë pritet të diskutohet edhe për historikun, jetëgjatësinë, transformimin e funksionit të radios dhe të ardhmen që po e pret radion. Për të na treguar se në çfarë gjendje janë radiot në Kosovë, Radio KFOR-i kontaktoi Kryetarin i Institutit të Mediave të Kosovës, Fazli Veliun:
“13 Shkurti, Radiot në Kosovë i gjenë në gjendje të vështirë, sidomos radiot lokale të cilat mezi arrijnë të mbijetojnë. Në vitin 2018 një numër i madh i radiove në Kosovë janë mbyllur dhe një numër tjetër i madh pritet të mbyllen. Mund të themi se radiot në Kosovë janë duke u sfiduar nga rrjetet sociale, duke mos e pasur primatin siç e kanë pasur, por pavarësisht kushteve që veprojnë radiot, gazetarët në mediat lokale duhet të vazhdojnë misionin e tyre në informim të qytetarëve”, tha Fazli Veliu.
Ne ndoshta nuk mund ta pranojmë me lehtësi, por radioja ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut dhe për më shumë se 100 vjet, ka qenë një mjet për zhvillimin në komunikim, arsim dhe sot është koha për të festuar një nga dhuratat më të mëdha që njeriu i dhuroi njeriut.