“Qyteti ka aftësinë të ofrojë diçka për të gjithë, vetëm atëherë kur ai krijohet nga të gjithë”, kështu ka thënë gazetarja Jane Jacobs, e cila profesionin e saj ia kushtoi pikërisht urbanizmit.
31 tetori, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Qyteteve” , e kjo ditë i paraprinë “Ditës së Planifikimit të Qyteteve”, ditë kjo që shënohet çdo 8 nëntor. Lidhur me këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e Institutit për Planifikim Hapësinor, Luan Nushi i cili na tregoi për aktivitetet që do të zhvillohen me rastin e “Ditës së Planifikimit të Qyteteve”:
“Ka 6 vite që e shënojmë ‘Ditën e Planifikimit të Qyteteve’. Sivjet është 70-të vjetori i kësaj dite, ndërsa ne kemi përzgjedhur për temë- ‘Lagjen’, si element themelor të organizmit të qyteteve. Në kuadër të manifestimit i kemi paraparë dy aktivitete, njëra është konkursi i fotografive, ku i kemi ftuar të gjithë qytetarët që të jenë pjesëmarrës në konkursin ‘Njoftohu me Lagjen Time” dhe tema e dytë është një tryezë e rrumbullakët që është më shumë profesionale, ku gjithashtu tema do të jetë lagjja, ku do të diskutojmë për lagjen si element, por edhe se si janë aktualisht qytetet në Kosovë”.
Drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor, Luan Nushi na tregoi gjithashtu se në kuadër të hartimit të planeve afatgjate kanë paraparë rekomandime e veprime për planifikimin e qyteteve në të ardhmen. Këto rekomandime përfshijnë mbrojtjen e tokës bujqësore, mbrojtjen e hapësirave publike, lëvizjen e qytetarëve dhe krijimin e kushteve në hapësirat publike .