8 Marsi njihet globalisht si ‘Dita Ndërkombëtare e Gruas’, një ditë globale që feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave në gjithë botën. Edhe në dekadat e fundit komuniteti global mundohet të ngrisë pozitën e gruas në shoqëri duke sfiduar sterotipet, luftuar paragjykimet dhe të krijojë hapësirë të barabartë të gruas në shoqëri.
Edhe në Kosovë, pozita e gruas është sfiduese në shumë aspekte të përfaqësimit të saj. Për të shënuar këtë ditë, pikërisht me 8 mars, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, nga ora 12:00, qendra ‘Artpolis’ ka vendosur ta shënojë me një marsh për të kërkuar drejtësi gjinore dhe shoqërore, për jetë të dinjitetshme për gratë në Kosovë.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, zyrtarja për komunikim dhe marrëdhënie me publikun në Qendrën për Art dhe Komunitet – Artpolis, Venera Ismaili, tregoi për sfidat dhe pozitën e gruas në Kosovë: “Pozita e gruas në Kosovë fatkeqësisht nuk e ka vendin ku e meriton. Gratë kanë shumë pak vende në procese vendimmarrëse edhe pse ka lëvizje pozitive por ende duhet punë për të bërë. Pozita e gruas është në atë stad, ku ajo është e paragjykuar në çdo hap, ngacmohet për faktin se si është veshur dhe mendimet që ka.”
Znj. Venera për fund kishte një mesazh fuqizues për të gjitha gratë në Kosovë: “Gratë duhet ta kuptojnë vlerën e tyre në shoqëri, ta kuptojnë se janë themeli i shoqërisë dhe duhet t’i ndjekin ëndrrat e tyre, të shkollohen dhe ta jetojnë jetën ashtu siç duan ato dhe jo të jetojnë sipas normave të shoqërisë partiarkale.”
Në mënyrë kolektive, secili prej nesh mund të ndihmojë në krijimin e një bote gjinore të barabartë.