Nesër (5 mars), duke filluar nga ora 15:00, do të shpaloset studimi “Rimendimi i arsimit në Ballkanin Perëndimor pas Covid-19”. Në këtë studim është punuar që nga vera e vitit të shkuar dhe përpilues të tij janë Gentiola Madhi dhe Francesco Trupia. Për të kuptuar më shumë rreth këtij studimi, Radio KFOR-i ka intervistuar, studiuesen shqiptare Gentiola Madhi, e cila jeton në Itali, ndërsa punon edhe si analiste në fondacione të ndryshme të botës, në mesin e tyre edhe në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) i cili njëherit organizon prezantimin dhe diskutimin e nesërm: “Aktiviteti i ditës së nesërme është prezantimi i studimit të cilin unë bashkë me kolegun tim, Francesco Trupia, kemi zhvilluar për rolin dhe sfidën e arsimit përgjatë pandemisë dhe pas pandemisë. Ideja është që ne përveç ndarjes së çështjeve kryesore për të tri vendet që ne kemi analizuar, siç janë Kosova, Shqipëria dhe Serbia, është që të hapim një debat për nevojën dhe urgjencën në të cilën gjendet arsimi, e sidomos ai para universitar dhe ndërhyrja që duhet të bëjnë këto vende, jo vetëm në nivel kombëtar por edhe rajonal. Ne po përpiqemi të adresojmë këtë mungesë dhe vështirësi në të cilën gjenden fëmijët tanë e që janë ata të cilët në të ardhmen do të drejtojnë vendet tona dhe do të qojnë përpara zhvillimin ekonomik. Një analizë e thelluar që është publikuar dje në nivel global, nënvizon që 1/3 e mësimit vitin e kaluar është humbur, pra të gjithë fëmijët i kanë humbur 74 ditë mësimi.”
Kjo ngjarje do të mbahet online dhe do të transmetohet live në faqen zyrtare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (https://www.facebook.com/kfos1/ ) ndërsa pjesëmarrës në debat do të jenë aktivistë nga Kosova, Shqipëria e Serbia.