Në kampusin e Universitetit të Prishtinës, sot (18.09.20), duke filluar nga ora 16:00, do të mbahet diskutim për shëndetin seksual dhe riprodhues tek të rinjtë në Kosovë, organizuar nga “SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime”.
Përfaqësuesja e Organizatës ‘SIT’, Erza Islami, për Radio KFOR-in ka treguar se diskutimi do të mbahet me Dr. Zarife Miftari nga UNFPA (United Nations Population Fund), zyra në Kosovë. “E kemi parë si shumë të arsyeshme të bëjmë këtë diskutim, sepse po shohim se shumë të rinj kanë informata të mangëta rreth kësaj teme. As nëpër shkolla kjo temë nuk diskutohet shumë. Në diskutim do të marrin pjesë disa studentë dhe disa vullnetarë të grupit ‘Bohu burrë’. Mesazhi që duam të përçojmë është që të rinjtë edhe të rejat me u kujdes sa më shumë për shëndetin riprodhues dhe seksual. Sa më shumë që kujdesemi për shëndetin, më mirë edhe për tjerët. Po ashtu, duam t’i thyejmë tabutë, që të rinjtë me pa që diskutimi për këtë temë është krejtësisht normal”.
Tutje, është bërë e ditur se për shkak të rregullave të ‘CoViD-19’, numri maksimal i pjesëmarrësve në këtë takim do të jetë 15 persona. Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga ‘CARE International Ballkan’ në partneritet me ‘SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime’ dhe ‘YMCA’ në Kosovë dhe mbështetur nga ‘Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni Oak’.